Forcat besnike të presidentit Bashar al-Assad kanë hyrë në enklavën e kurdëve në kufi me Turqinë, Afrinin, duke rritur kështu rrezikun e një përplasjeje të mundshme me forcat turke.
Zhvillimi i fundit vjen vetëm një ditë pasi agjencia shtetërore siriane e lajmeve “SANA” njoftoi se “forcat popullore” do të dërgoheshin në Afrin për të kundërshtuar “sulmin e regjimit turk”.
Trupat turke dhe rebelët proturkë sirianë kanë luftuar ndaj milicive kurde në Afrin gjatë muajit të kaluar. Ndërsa po dje, në reagimin e menjëhershëm të saj, Ankaraja paralajmëroi forcat siriane kundër ndërhyrjes në mbështetje të kurdëve.
Televizioni shtetëror sirian tregoi forcat paraushtarake proqeveritare që përgatiteshin të hynin në Afrin të martën. Media e kontrolluar nga lëvizja libaneze Hezbollah, që mbështet qeverinë siriane, si dhe agjencia kurde e lajmeve “ANHA” thanë se milicitë e “forcave popullore” kanë hyrë tashmë në enklavën e kurdëve.
Ende nuk është e qartë sesa luftëtarë kanë shkuar atje, apo se në cilën vendndodhje ndodhen ata konkretisht.
Turqia është angazhuar të pastrojë Afrinin nga Njësitë e Mbrojtjes Popullore kurde “YPG”, të cilën e konsideron si një grup terrorist. Ankaraja e konsideron këtë grupim si një zgjatim i Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), një parti e jashtëligjshme në Turqi që ka luftuar për autonominë e kurdëve atje prej vitit 1984. Megjithatë, “YPG”-të mohojnë ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë ushtarake apo politike me PKK-në.
Kurdët ushtrojnë aktivitetet e tyre në Afrin që kur forcat siriane u tërhoqën prej andej në vitin 2012, për t’u fokusuar në luftimet ndaj rebelëve anembanë vendit. Qeveria siriane e ka quajtur ofensivën turke në Afrin si një “sulm i hapur” ndaj sovranitetit të saj.
Top Channel