Sulmuesi argjentinas i Manchester Cityt, Sergio Aguero i ka shpëtuar ndëshkimit nga Federata e Futbollit (FA), pas konfrontimit në përfundim të ndeshjes së të hënës mes “Citizens” dhe Wiganit, e vlefshme për “FA Cup” dhe të fituar nga skuadra e kategorisë së dytë angleze, “Championship”.

Pamjet televizive shfaqnin Agueron të shtynte një tifoz, por sulmuesi kishte deklaruar më pas se ishte pështyrë dhe ofenduar.

Të dyja klubet janë akuzuar ndërkohë nga Federata, me arsyetimin se dështuan të kontrollonin lojtarët e tyre pas ndëshkimit me karton të kuq të Fabian Delph (Man. City) për një ndërhyrje brutale. Megjithatë, asnjë futbollist apo pjesëtar stafi nuk rrezikon sanksione disiplinore.

Kartoni i kuq i Delph në pjesën e parë shkaktoi një debat të ashpër edhe mes trajnerit të Cityt, Pep Guardiola, dhe homologut të tij rival, Paul Cook, teksa hynin në dhomat e zhveshjes në përfundim të pjesës së parë.

City dhe Wigan janë të detyruara gjithashtu të qortojnë tifozët e tyre për trazirat në fushë, sidomos në fund të ndeshjes kur fusha e futbollit u pushtua nga fansat. Disa prej tyre shqyen tabelat publicitare dhe i hodhën ato në drejtim të policisë.

Policia njoftoi se kishte arrestuar dy persona, me dyshimin për zënka pas një incidenti jashtë fushe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA