“Edhe muret kanë veshë”, kështu titullohet nisma e re e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentat e ish Sigurimit të Shtetit që nisi sot, më 20 shkurt, në përvjetorin e 27-të të rrëzimit të shtatores së ish diktatorit, e që i kushtohet mbledhjes së dëshmive të të gjithë atyre që vuajtën gjatë regjimit komunist.
Bashkia e Tiranës është e para që e ka mbështetur këtë projekt, i cili kurohet nga kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentat e ish Sigurimit të Shtetit, Gentjana Sula, dhe synon të sjellë në dritë një copëz historie, përmes përjetimeve personale.
Në 27 vjetorin e rënies së shtatores të ish diktatorit komunist, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim kryetaren e AIDSH, Gentjana Sula, dhe ideatoren e këtij projekti, artisten Alketa Xhafa Mripa, me të cilat bisedoi mbi mundësitë e bashkëpunimit për realizimin e kësaj nisme, që do të krijojë mundësi që shumë njerëz të sjellin dëshmitë dhe përjetimet e tyre personale në vitet e regjimit komunist, ndërsa për të rinjtë të njohin një pjesë të historisë më të errët të vendit tonë.
Veliaj theksoi se ky projekt sjell një alternim të artit me historinë, për të prurë në memorien e brezit të sotëm ngjarje dhe vuajtjet e mijëra shqiptarëve në regjimin komunist.
“Bashkia e Tiranës do të përfshihet në aktivitetet që do të zhvillohen në kryeqytet sepse besoj se nëse nuk i kushtojmë burime në kohë, energji dhe në financa këtij operacioni të pastrimit të vetvetes, humbasim një shans historik. Ndaj, kjo nismë meriton gjithë përgëzimin tonë, ju uroj punë të mbarë dhe mirëpres ta finalizojmë në datën 9 maj, ku jo vetëm përkujtojmë ditën e rënies së fashizmit dhe “Ditën e Europës”, por edhe reflektojmë pak se çfarë solli rënia e fashizmit në Shqipëri. Në shumicën e Europës rënia e fashizmit solli lirinë, kurse në Shqipëri solli pranga të tjera”, u shpreh ai.
Gjithashtu, kreu i Bashkisë së Tiranës shprehu kënaqësinë që falë ndryshimeve (në kohën kur ishte Ministër i Mirëqenes Sociale dhe Rinisë) në ligjin për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë, si dhe me miratimin e ligjit për hapjen e dosjeve, sot këto dy procese kanë ecur paralelisht, duke dhënë rezultatet e pritshme për të gjithë ata që vuajtën në diktaturë.
“Më vjen mirë që kemi ecur me kompensimin financiar të ish të përndjekurve, jemi thuajse në këstin e 8-të. Më vjen shumë mirë që në disa simbolika, duke qenë se sot është përvjetori i rënies së shtatores, në qendër të sheshit ‘Skënderbej’ kemi vendosur njeriun e thjeshtë dhe jo shtatoren e ish diktatorit. Po i shohim dukun këtij ligji të rëndësishëm për hapjen e dosjeve, ku shumë autoritete me peshë në qytetin dhe në vendin tonë, po i hapin dosjet e tyre për publikun”, shtoi Veliaj.
Projekti do të mbledhë histori në mbarë vendin, duke përzgjedhur kontributet më të mprehta nga secili rajon ku kanë ndodhur këto drama çnjerëzore, për t’u projektuar në një monument ose pikë referimi në disa qytete të Shqipërisë si: Tiranë, Durrës, Shkodër, Vlorë, Gjirokastër, Korçë, Tepelenë, Berat, Elbasan, Burrel etj. Fraza poetike apo thënie që buronin nga tragjedia njerëzore e shtypjes së çdo forme të lirisë, do të shkëputen nga dorëshkrime, dokumentime apo arkiva personale të personazheve të internuar, që artistja do të hulumtojë nëpër territorin shqiptar. Më pas këto “tekste të ndaluara” do të projektohen në formate të mëdha, në të njëjtën datë (09 maj 2018), dhe në të njëjtën kohë nëpër qytete të ndryshme.
Top Channel