Pasi publikoi përgjigjen për kërkesën e MEPJ, Presidenti i Republikës, Ilir Meta doli në një deklaratë për mediat.
Ai u shpreh se publikimi i përgjigjes për kërkesën e MEPJ është bërë jashtë dëshirës së tij, por për të qenë transparent. Presidenti tha se “nuk mund të firmosë një letër të bardhë me disa probleme që duhen saktësuar”.
Meta tha në deklaratë se sjellja e Presidentit për këtë çështje do të jetë e bazuar në Kushtetutë dhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Duhet të theksoi mbështetjen dhe angazhimin tim për një zgjidhje të drejtë dhe përfundimtare për këtë çështje. Duhet të ketë një angazhim të plotë nga të gjithë. Me këtë rast, dua të nënvizoj se sjellja dhe kontributi i Presidentit ndaj kësaj çështje do të jetë i bazuar vetëm në Kushtetutën e Shqipërisë dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese të prillit 2010, është vija e kuqe”, u shpreh Meta.
Ndërkohë, sa i përket qëndrimit të opozitës, që kjo çështje të shkojë me mirëkuptimin e të dy shteteve në gjykatën ndërkombëtare, Meta përsëriti edhe njëherë se për këtë çështje ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa tha se respekton edhe qëndrimin e opozitës dhe se gjykata ndërkombëtare është një mundësi.
“Qëndrimi i opozitës ose përfaqësuesit të saj ka qenë që kjo çështje duhet të zgjidhet në gjykatë ndërkombëtare me mirëkuptim mes palëve. Sigurisht që është një mundësi. Qeveria ka synuar dhe synon që kjo çështje të zgjidhet përsëri përmes negociatave. Duke respektuar qëndrimin e opozitës, ka të drejtën e saj, njëkohësisht respektoj qëndrimin e qeverisë për ti dhënë një zgjidhje përfundimtare kësaj çështje përmes negociatave të reja, por duhet të theksoj se për këtë çështje ka një vendim të posaçëm të Gjykatës Kushtetuese, e cila është një vijë e kuqe për të gjithë, duke filluar nga Presidenti i Republikës. Këtë drejtim është detyra e presidentit të respektojë këtë vendim, sepse presidenti është betuar për mbrojtjen e Kushtetutës”, u shpreh Meta.
Meta: Nuk synoj të drejtoj negociatat me Greqinë
I pyetur se a do të drejtonte vetë grupin negociator me Greqinë, Meta ka thënë se kjo nuk do të ishte diçka e mirë as për as për Presidentin dhe as për shtetin, sepse Presidenti nuk është ekspert.
“Presidenti nuk synon që të bëjë edhe atë rol që ia jep Gjykata Kushtetuese, që të ulet dhe drejtojë bisedimet, sepse nuk do të ishte mirë as për Presidentin dhe as për shtetin, sepse Presidenti nuk është ekspert. Presidenti ka për detyrë të përmbushë të gjitha përcaktimet, lidhur me titullin, objektin, kufijtë që do të negociohen, metodologjinë dhe ekipin negociator. Presidenti nuk ka nevojë të caktojë njeri atje, sepse është delegim i besimit në emër të shtetit. Të gjithë ata janë njerëz të besuar të shtetit. Presidenti nuk mund të firmosë një letër të bardhë dhe njëkohësisht dhe me disa probleme të cilat kanë nevojë që të saktësohen”, tha Meta.
“Nuk më ka ardhur asnjë informacion zyrtar nga MEPJ mbi diskutimet me Greqinë”
I pyetur nëse ndjehet nën presion, duke qenë se Rama do të takohet në pranverë me Tsipras, Meta u shpreh se askush nuk mund ta imponojë atë të mos përmbushë detyrimet. Meta thotë se që nga marrja e detyrës nuk ka marrë asnjë informacion zyrtar nga ministria në lidhje me negociatat me Greqinë.
“Axhenda e cilitdo personalitet të nderuar nuk mund të më imponojë mua apo askujt, që të mos përmbush detyrimet e mia, transparente dhe përfundimtare të një marrëveshje që duhet të zgjidhet njëherë e përgjithmonë. Qeveria ka të drejtën e saj të bëjë të gjitha marrëveshjet që janë në kompetencën e saj të plotë sipas kushtetutës, por në këtë çështje ua bëra të qartë se kush është qëndrimi i Presidentit të Republikës. Deri më sot, që nga marrja e detyrës, nuk ka asnjë informacion zyrtar nga MEAJ lidhur me diskutimet që janë bërë me Ministrinë e Jashtme të Greqisë. Ja kam bërë të qartë Bushatit, se për këtë çështje kaq të rëndësishme, bashkëpunimi do të jetë vetëm zyrtar, për të evituar çdo lloj keqkuptimi për cilindo. Edhe sot e kësaj dite nuk ka asnjë informacion. Unë jam i qetë, i duruar. Unë e urrej protokollin, por unë mund të përgjigjem vetëm për sjelljet e mia kushtetuese institucionale”, shprehet Meta.
Top Channel