Quhet ‘Nuclear football’, valixhja që përmban kodet për një sulm bërthamor nga ana e presidentit të Shteteve të Bashkuara. Ajo duhet të jetë gjithmonë pranë tij, e për këtë arsye një zyrtar ushtarak e ndjek Donald Trumpin në çdo lëvizje.
Por gjatë vizitës që kreu i Shtëpisë së Bardhë zhvilloi në Kinë, në muajin nëntor, valixhja ishte në qendër të një përballjeje mes agjentëve amerikanë e kinezë të sigurisë, në atë që ngjason vërtet me një aksion futbolli. Sipas websajtit Axios, në 9 nëntor Trump dhe bashkëshortja e tij Melania, ishin të fuar në sallën e madhe të popullit, në sheshin Tienanmen.
Bëhet fjalë për tempullin e pushtetit kinez, i blinduar nga një numër i madh policësh. Çifti presidencial hyn pa problem, por zyrtari me ‘futbollin nuklear’ u ndalua në një kalim sigurie, ndërsa kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk kuptoi asgjë. Në këtë pikë, sipas medias amerikane, një tjetër zyrtar sinjalizon gjeneralin John Kelly, shefi i kabinetit të Shtëpisë së Bardhë.
Ky i fundit nuk e mendon dy herë, rikthehet tek hyrja dhe urdhëron njerëzit e tij të bëjnë përpara bashkë me valixhen. Kinezët zihen në befasi. Njëri prej tyre kap nga krahu gjeneralin, i cili e shtyn dhe vazhdon përpara.
Situata u tensionua më tej, kur një agjent i shërbimeve sekrete amerikane sulmoi pjesëtarin e sigurisë kineze, duke e shtrirë në tokë, ndërsa grupi i drejtuar nga Kelly, bashkë me zyrtarin që mbante valixhen, arritën tek presidenti.
Incidenti u konfirmua për Axios nga 5 burime të ndryshme. Siç thuhet, shefi i kabinetit urdhëroi të pranishmit ta mbanin gojën e mbyllur, për të mos cënuar përshtypjen e një mikpritjeje madhështore në qytetin e ndaluar për presidentin Trump.
Top Channel