Lionel Messi shënoi golin e tij të parë kundër Chelseat, teksa i dha një barazim të vlefshëm Barcelonës, në transfertën londineze të vlefshme për fazën e 1/8-ave të Champions Leagues.
Ylli katalanas përfitoi nga një gabim në mbrojtje i lojtarëve të Chelseat dhe arriti të ndëshkojë portierin Courtois, por ky gol duket se ka zhgënjyer pa masë trajnerin Antonio Conte.
“Kur luan ndaj skuadrave të këtij niveli, duhet të bësh ndeshjen perfekte. Ne e bëmë, por një gabim na hodhi poshtë mundin. Për më tepër që gabimi ishte kundër Messit dhe Iniestës, që nuk të falin në raste të tilla”, u shpreh Conte.
Trajneri i Chelseat vlerësoi lojën e futbollistëve të tij, duke theksuar se të gjithë dhanë maksimumin, por ishin të pafat.
“Lojtarët dhanë 100 % sot dhe merituan shumë më tepër. Mund të them se fati nuk ishte me ne, pasi goditëm 2 herë shtyllën dhe u ndëshkuam nga një episod. Gjithsesi, kjo ndeshje më jep besimin se mund të tentojmë kualifikimin në Barcelonë, ndonëse nuk do të jetë aspak e lehtë”, u shpreh trajneri i Chelseat.
Kombëtarja Italiane e Futbollit është në kërkim të një trajneri dhe mediat raportojnë se Conte është një nga kandidatët, për t’u rikthyer në stolin e të kaltërve, por vetë tekniku i mohoi këto zëra.
“Nuk do të marr drejtimin e Italisë, pasi kam një kontratë me Chelsean, që përfundon në verën e 2019-ës dhe kam ndërmend ta respektoj. Për më tepër, kam qenë njëherë në atë pozicion dhe nuk besoj se është momenti që të rikthehem”, u shpreh Antonio Conte.
Top Channel