Bayern Munchen zëvendëson “Lufthansa”-n me “Qatar Airways”

20/02/2018 18:23

Bayern Munchen konfirmoi këtë të martë se “Qatar Airways” do të zëvendësojë “Lufthansa”-n si një prej sponsorëve të tij, duke zgjeruar në këtë mënyrë lidhjet e biznesit të gjigantëve gjermanë me shtetin e Gjirit Persik.

“Qatar Airways” ka nënshkruar një marrëveshje 5-vjeçare si “partner i platintë”, një nivel poshtë sponsorëve kryesorë të Bayernit, që janë “Adidas”, “Telekom”, “Audi” dhe “Allianz”.

Logoja e kompanisë së fluturimeve ajrore do të shfaqet tashmë në mëngët e fanellave të kryesuesve në arrati të Bundesligës gjermane.

Drejtori i marketingut i Bayern Munchen, Andreas Jung, tha për gazetën nga Frankfurti “FAZ”, se një partneritet i tillë “do të na ndihmojë të bëhemi një ekip më ndërkombëtar”. Sipas “FAZ”, marrëveshja e re do t’i mbushë arkat e Bayernit me më shumë se 10 milionë euro, sa ç’merr përvit nga Aeroporti ndërkombëtar Hamad.

Megjithatë, kjo lëvizje ka lënë shumëkënd të habitur në Bavari, pasi duket e çuditshme që të hiqet logoja e kompanisë ajrore gjermane “Lufthansa”. Lidhjet e Bayernit me Katarin janë kritikuar shpesh, për shkak të situatës së të drejtave të njeriut në vendin që do të organizojë Botërorin e vitit 2022.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA