Seancë solemne e Kuvendit të Kosovës, javën tjetër votohet Demarkacioni

18/02/2018 11:21

Kremtimet e 10-vjetorit të Pavarësisë në Kosovë nisën që të premten, kulmuan të shtunën me ceremoni e organizime të ndryshme kulturore, përfshirë koncertin gjigant të Rita Orës, e vazhdojnë këtë të dielë me seancën solemne të Kuvendit, në orën 12, e një orë më vonë me parakalimin e Forcave të Sigurisë në sheshet “Nënë Tereza” dhe “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë.

Kosova po e feston dekadën e saj të parë të mëvetësisë në një kohë përshkallëzimi të ndjeshëm të aktivitetit diplomatik, por edhe debateve mbi detyrimet e papërmbushura të shtetit të ri kundrejt proceseve integruese.

Analistët mendojnë se vendi ka arsye të kremtojë, megjithatë ai ndodhet nga ana tjetër përpara një faze kritike të së ardhmes së vet. Sinjalet pozitive, sidoqoftë, nuk munguan që në prag të këtij përvjetori, kur të premten Presidenti Hashim Thaçi njoftoi arritjen e marrëveshjes së rishikuar të Demarkacionit me Malin e Zi.

Pakti mori njëzëri aprovimin e Qeverisë së Ramush Haradinajt, një prej kundërshtarëve më të ashpër të marrëveshjes në variatin e saj fillestar, e të martën pritet votimi në Parlament.

Top Channel