Figurat njerëzore gjithnjë mbeten në qendër të vëmendjes së piktorëve për bukurinë dhe veçanërisht brishtësinë, kur ato pikturohen pa dorashka, ashtu siç janë.
Çdo nudo ka historinë e saj, por ka edhe historinë e piktorit që e realizon, sepse nuk mund të përsërisësh dy herë të njëjtin moment, të njëjtin kompozim apo të njëjtin qëndrim, e kjo është bota e pazbuluar për publikun, është ajo botë që fshihet mes modelit dhe piktorit.
“Kjo lindi nga një ekspozitë personale që do të bëja në Durrës. Ishin bërë 30 e ca punë, të mira, më pëlqenin, por i vura në ekspozitë dhe i thashë vetes që më mungonte diçka e fuqishme që të mbante të gjithë ritmin e ekspozitës. Ndaj në studion time mora telajon dhe po vrisja mendjen: gjeta një model skice, gjeta një model që rrinte prapa, thashë më bukur, sepse gjithnjë nudot i vëmë para ose profil, kur e pashë thashë “Doli, kjo ishte ajo që doja dhe u vu në ekspozitë dhe them që i bëri shumë mirë”, tha Adriana Puleshi, piktore.
Artistët Lume Blloshmi, Ilir Pojani, Arben Theodhosi, etj. kanë nudon si emërues të përbashkët në ekspozitën e çelur në Galerinë “Kalo”, por secili prej tyre ka një stil të ndryshëm nga tjetri, që dallohet lehtë.
“Çdo nudo është ndryshe, ka qëndrimin e autorit, ka një konceptim ndryshe, sepse gjithmonë një pikturë ka një koncept të caktuar dhe kjo sjell një larmi. Të njëjtën gjë piktorët e bëjnë ndryshe, kjo e bën edhe bukurinë e artit diçka ndryshe, diçka të re dhe krijon emocionin e madh që njerëzit duhet ta shijojnë. I ftoj të shohin sa më shumë art dhe piktura nga piktorët tanë që janë shumë të mirë”, tha më tej Adriana Puleshi.
Top Channel