Krisje e gotave të Pavarësisë, debati Rama-Haradinaj mbyllet me dolli

17/02/2018 12:06

Kryeministri Rama shkoi në Prishtinë për të festuar Pavarësinë e Kosovës, ku mori edhe një medalje nga Presidenti Thaçi, por ai në Prishtinë bëri edhe këtë deklaratë në një intervistë televizive.

“Demarkacioni është një problem i shpikur, është një problem i shpikur nga politika e brendshme e Kosovës, që nuk ka asnjë bazë reale”, u shpreh Rama.

Por kjo deklaratë nuk kaloi pa përgjigje nga kryeministri kosovar, Ramush Haradinaj. Ai menjëherë do të shkruante: “Urime Pavarësia e Kosovës të gjithë shqiptarëve. Edi Rama nuk ka çfarë të flasë për shpikjet politike në Kosovë! Le të merret me shpikjet e veta brenda Shqipërisë se i dalin boll”.

Rama i ndërgjegjshëm, mesa duket, për dëmin që mund të shkaktonte ky qëndrim i tij, në një kohë kur në Kosovë sapo ishte vendosur që të mbahej edhe mbledhja e Kuvendit për marrëveshjen me Malin e Zi, zbuti situatën nga përplasja e qëndrimeve, duke i shkuar për vizitë në shtëpi kryeministrit Haradinaj.

I shqetësuar, Rama i shkoi menjëherë në shtëpi Ramushit, çka tregon për kujdesin që ka se një krisje e mundshme duhet mbyllur brenda natës që zhurma mos shkojë deri në Shtetet e Bashkuara apo Bruksel.

Vetëm një orë pas deklaratës së Haradinaj, Rama postoi një foto me fjalët, “përplasje gotash në shtëpinë e Haradinajve”.

Në fakt, kjo është përplasja e parë publike në nivele kaq të larta politike mes Tiranës dhe Prishtinës dhe me siguri shumë shqiptarë në Shqipëri dhe Kosovë dhe kudo, i është dukur si një krisje gote para dollisë së 10-vjetorit të Pavarësisë.

Sidoqoftë, nëse sot festohet 10-vjetori i pavarësisë së Kosovës nga Serbia, deklarata gjaknxehtë e kryeministrit të Kosovës duket si një tentative pavarësie dhe nga politika e Shqipërisë, e cila mesa duket ka Kosovën si asin me të cilën negocion në marrëdhëniet ndërkombëtare prej vitesh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA