Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi njoftoi përpara medieve dhe opinionit publik arritjen e një qëndrimi të përbashkët për rishikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me kryeministrin malazez Dusko Markoviç.
“Në 10-vjetorin e Pavarësisë, Kosova po arrin një progres të qenësishëm”, deklaroi Thaçi, duke e ilustruar këtë pohim me dokumentin që ka marrë edhe mbështetjen e kryeministrit Ramush Haradinaj, një prej zërave më të ashpër kundër paktit në formën e tij të deritanishme. “Është jetike – u shpreh Thaçi, – që pakti të marrë ‘dritën jeshile’ në Kuvend”.
“Në këtë 10-vjetor të Pavarësisë, Kosova po shënon progres të rëndësishëm, që po përshendetet nga të gjithë. Duke vlerësuar edhe vullnetin e mirë të shtetit të Malit të Zi dhe udhëheqësisë kosovare në 48 orët e fundit, por edhe përpjekjet tona për dy vite e gjysmë, unë si President i Kosovës dhe Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, nxorëm një deklaratë të përbashkët që të inkurajojmë Kuvendin e Kosovës të ratifikojë marrëveshjen e Demarkacionit”, tha Thaçi.
Nga postimi i Haradinajt në Facebook kuptohet se, marrëveshja e re vendos rishikimin e pjesës së ujdisë që lidhet me përcaktimin e kufijve të dy zonave problematike: Çakorrit dhe Zhlepit.
Ajo që zyrtarët kosovarë e quajnë “një aneksmarrëveshje”, i jep fund sipas Haradinajt një paqartësie dhe ndarjeje të gjatë në shoqërinë vendase, e çel kapitullin e ri të lëvizjes së lirë të qytetarëve.
Por Lidhja Demokratike e Kosovës u shpreh se, deklarata po keqinterpretohet dhe keqpërdoret nga kryeministri. LDK-ja këmbëngul se Kosova dhe Mali i Zi nuk kanë nënshkruar marrëveshje për të korrigjuar kufij, por përmes një deklarate të përbashkët konfirmojnë marrëveshjen e vitit 2015, ndërsa dokumenti kërkon që ajo të ratifikohet, ashtu siç është nënshkruar dhe ashtu siç e ka ratifikuar Mali i Zi
I ashpër ka qenë edhe reagimi i Vetëvendosjes, që e nis komentin e saj me shprehjen “Mashtrimi nuk kalon”, duke e cilësuar deklaratën Thaçi-Markoviç si të papranueshme dhe të padrejtë.
Top Channel