Tapeti i kuq i Berlinales është kthyer në mundësinë e aktores gjermane Anna Brüggemann për të lançuar fushatën “Kukulla e askujt”.
Pjesëmarrëse të Festivalit të sivjetshëm të Filmit po inkurajohen të heqin dorë nga takat dhe fustanet e shkurtra, e të paraqiten në këtë shfaqje me veshje të rehatshme.
Përpjekjet për të promovuar barazinë e të drejtave e kanë shtyrë Brüggemannin, që nën hashtagun “#nobodysdoll” në “Twitter” të sfidojë vëmendjen patriarkale që prek femrat në festivalet e filmit dhe ceremoni të ndarjes së çmimeve.
Prej grave priten fustane që tregojnë shumë dhe taka të larta, nga ato stërmundueset – thotë ajo, – sepse vetëm kështu do të vlerësohet nëse mund të jenë apo jo pjesë e marketingut.
“Është koha të krijojmë imazhe të tjera të femrës – shton aktorja, – dhe të tregojmë gra të forta e jo konvencionale”.
Nismën e 36-vjeçares e mbështesin edhe yje të tjerë filmash, që kanë bërë emër në Gjermani, si Lavinia Wilson, Franziska Weisz dhe Palina Rojinski. Nëse ideja e Brüggemannit do të gjejë mbështetje të gjerë, atëherë çizmet kauboj, xhaketat e lëkurës, bluzet dhe atletet do të bëhen një pamje e zakontë nëpër ngjarje të tilla.
Top Channel