Kosova 10 vite shtet, festimet e Pavarësisë nisin nga kjo e premte

16/02/2018 11:47

Presidenti Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama e përshëndetën arritjen e marrëveshjes së re të Demarkacionit.

Rama, i cili mbërriti sot në Prishtinë, uroi që marrëveshja të ratifikohet tani sa më shpejt.

Kreu i ekzekutivit do të marrë pjesë në kremtimet e kësaj dite të shënuar për kosovarët, 10-vjetori i Pavarësisë, të cilat kanë nisur që këtë të premte me homazhet e kryeministrit Ramush Haradinaj te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, duke nderuar përpjekjet e tij për Pavarësinë.

Me një agjendë të ngjeshur kremtimesh, autoritetet kosovare synojnë një 10-vjetor të paharrueshëm për Kosovën.

Të angazhuar do të jenë të gjithë, duke nisur nga policia, që zhvilloi një aktivitet në sheshin “Skënderbeu”; të rinjtë e përfshirë në debatin për Pavarësinë në Qendrën Rinore të Prishtinës; për të vazhduar me ngjarje të tjera si lancimi i Pullës Postare me rastin e një dekade mëvetësie, festivalin shumëkulturor të komuniteteve në Prizren, ekspozita, koncerte e shfaqje teatrale.

Të shtunën në orën 08:00, ashtu siç ishte paralajmëruar, Rita Ora mban një koncert në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa shfaqjet e ditës së shtunë nisin me mbledhjen solemne të Qeverisë, për t’u zgjatur deri të dielën me mbjelljen e 115 pemëve në Memorialin “Adem Jashari” në Prekaz, e parakalimin e Forcave të Sigurisë e Policisë.

Top Channel