Pas protestave në qytete të ndryshme të vendit për ndihmën ekonomike, zv. ministrja e Shëndetësisë dhe Mirqënies Sociale, Bardhylka Kospiri ka shpjeguar vlerësimin e ri të aplikuesve për ndihmën ekonomike.
Ajo tha se familjet që nuk arritën të fitonin ndihmën duhet të aplikojnë urgjent në bashki, pasi një pjesë e fondit është vënë në dispozicion të tyre. “Nëpërmjet rivlerësimit këto familje rikthehen si pjesë e skemës duke aplikuar në bashkinë përkatëse, të gjitha bashkive u është dhënë 6 % e fondit për të mbështetur familjet. Është nevojë të paraqiten menjëherë pranë bashkive që duhet të përdorin fondin e vënë në dispozicion në këto raste”, tha Kospiri.
Sipas saj sistemi i ri është transparent dhe punon përmes regjistrit elektronik. Ka vetëm ndihmë ekonomike të plotë thotë zv. ministrja.
“Sistemi i ri është transparent dhe punon përmes regjistrit elektronik i cili duke qënë i lidhur me të gjitha sistemet online, eliminon abuzuesit, të cilët deri dje përfitonin pa të drejtë pagesën e ndihmës ekonomike dhe numri i përfituesve rritej artificialisht. Për ta konkretizuar, sistemi automatik nxjerr jashtë abuzuesit”, tha më tej zv. ministrja.
Top Channel