Llallën e kap “vettingu” i amerikanëve. SHBA i ndalon hyrjen: I përfshirë në korrupsion domethënës

15/02/2018 08:07

Departamenti Amerikan i Shtetit i ka ndaluar ish-prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe familjes së tij hyrjen në Shtetet e Bashkuara.

Vendimi thekson se vetë Sekretari i Shtetit Rex Tillerson e miratoi masën e ndalimit për shkak të përfshirjes së ish-zyrtarit shqiptar në raste të mëdha korrupsioni.

Ligjet amerikane parashikojnë që në rastet kur ka informacione të besueshme se zyrtarë të huaj përfshihen në afera madhore korrupsioni, ose në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, këtyre individëve dhe familjes së tyre të afërt u ndalohet hyrja në SHBA.

Shefi i diplomacisë amerikane ka miratuar ndalimin e hyrjes në Amerikë edhe të bashkëshortes, Ardjana Llalla dhe fëmijëve.

Më 2 shkurt të 2017, një listë me prokurorë e gjyqtarë, mes të cileve edhe ish-kreu i Prokurorisë, Adriatik Llalla iu refuzua dhënia e vizës amerikane.

Vendimi vinte para nisjes së vettingut dhe u komentua gjerësisht si një vetting amerikan për njerëzit e drejtësisë. Ajo që ndodhi më pas i konfirmoi komentet.

Mes ish-kryeprokurorit dhe ambasadorit amerikan, Donald Lu pati dukshëm një marrëdhënie të tensionuar. Konseguenca me të cilën ambasadori amerikan e ndoqi rrugëtimin e Llallës, edhe pas largimit nga sistemi i drejtësisë tregon që asgjë nuk ishte rastësi, apo qëndrim spontan.

Në kohën kur ish-prokurori deklaroi largimin nga drejtësia dhe për këtë njoftoi edhe organet e vettingut, ambasadori iu rikthye duke bërë të qartë se historinë e Llallës nuk do ta mbyllë as kërkesa e tij për të mos qenë më pjesë e sistemit të drejtësisë.

Përmes dy mesazheve në Twitter, Lu reagoi se vendimi për tërheqje nuk i shfajëson ish-zyrtarët nga përgjegjësitë e mundshme penale për korrupsion, apo shpërdorim.

Po a kanë amerikanët një listë të zezë për të dyshuarit si të implikuar në korrupsion? Një vit më parë e kishin, ndërsa tani zhvillimet tregojnë se ish-kryeprokurori nuk do të jetë i fundit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA