“Mbledhje komuniste ku kryetari i partisë diskretiton”. Kështu e lexon profesori i Universitetit të Tiranës, Mark Marku, takimin e djeshëm të kryeministrit Rama me senatin e këtij institucioni.
Ndërsa, rektori i universitetit të Tiranës, Mynyr Koni duket se ka vendosur të flasë duke ngritur dyshime të forta se bllokimi i UT ka ndodhur qëllimisht.
“Kam bërë denoncime , dosjet flenë në prokurori, ky bllokim nuk ështyë rastësor, janë përfshirë individë të caktuar, ish drejtuesi i bordit, ish kancelari”, tha rektori Koni.
Për herë të parë, drejtuesi më i lartë i këtij institucioni pranon publikisht se është trysnuar në detyrën e tij. Koni thotë gjithashtu se pas konfliktit që UT ka me vetveten fshihet një e vërtetë e madhe, ku janë të përfshira edhe strukturat e larta qeverisëse
“Jam ndjerë në presion institucional nga struktura të ndryshme, nga inspektimet e MASR në 2017, ka arritur deri aty sa edhe ministria e Financave ka marrë përsipër të interpretojë ligjin e ri, duke pranuar veprime financiare pa vulën e universitetit dhe të firmosur nga persona të larguar nga puna, është lajmëruar thesari dhe ministria dhe situata vazhdon”, vijoi Koni.
Rektori Koni thotë se është në pritje që bordi administrativ të zgjidhë kaosin që ka shkaktuar në universitetin e Tiranës, përndryshe do të mbledhë senatin për të shkarkuar anëtarët e bordit administrativ, kërkesë që do tja drejtojë edhe ministrisë së Arsimit.
Njësoj si rektori Koni, edhe forumi i pedagogëve është i vendosur në qëndrimin e tij, nëse qeveria nuk plotëson kërkesat e tyre
“Nëse kryeministri do të vazhdojë me gjuhën e tij konfliktuale do hyjmë në grevë”, tha Marku.
Por, ndërsa rektori dhe pedagogët kërkojnë shkarkimin e anëtarëve të bordit administrativ, që e fajësojnë për kolapsin e krijuar në arsimin e lartë publik, 4 dekanët e universitetit të Tiranës, i kërkojnë ministrisë së Arsimit shkarkimin e menjëhershëm të rektorit Mynyr Koni.
Top Channel