Mjaftoi 24 orë shi për të përmbytur shtëpitë në disa fshatra të Lushnjës. Rritja e nivelit të lumit Seman dhe bllokimi i kanaleve të kullimit ka sjellë këtë situatë në fshatin Imsht.
Në një shtëpi uji ka pushtuar oborrin dhe stallen e bagëtive brenda natës. Serat me fidanë dhe koteci i pulave janë nën ujë. Banorët thonë se është hera e tretë që përmbyten. Vetë ata fajësojnë fermerët që e bllokojnë kanalin e kullimit me prita gjate kohës së mbjelljeve.
Në bashkinë e Lushnjës pranojnë se përmbytja ndodh në ato zona ku prej 25 vitesh kanalet nuk janë pastruar.
“Të shikojmë problematikat më emergjente, pastaj do t’i hyjmë gjithë historive ku kemi difektet tona”, shprehet Gentian Nushi, nënkryetar i bashkisë Lushnje.
Në pritje të zgjidhjes afatgjatë, banorët kthejnë sytë nga qielli, për të parë retë që do t’ë sjellin shiun që mund t’u shtojë nivelin e lumit në orët e ardhshme.
Top Channel