Kosova dhe Mali i Zi nuk kanë probleme mes tyre dhe janë në të njëjtën rrugë drejt Europës.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dhe homologu i tij malazez, Dushko Markoviç, i cili po qëndron në një vizitë dy-ditore në Prishtinë, u shprehën optimistë për çështjen e demarkacionit. Kryeministri i Malit të zi tha se vendi i tij dëshiron ta ndihmojë Kosovën në zgjidhjen e çështjes së kufirit .

“Mali i Zi dëshiron që si një fqinj dhe si mik i mirë, të ndihmojë në zgjidhjen e kësaj çështjeje. Përmes dialogut të vazhdueshëm do të kërkojmë zgjidhjen më të mirë në mënyrë që të mundësohet ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit dhe sigurimi i një mundësie të madhe për Kosovën, kur bëhet fjalë për integrimet evropiane”, tha Markoviç.

Gjithashtu kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj shprehu besimin se do të gjendet një zgjidhje për këtë çështje.

“Ekziston një vullnet i mirë që të gjendet një dalje nga gjendja në të cilën jemi, duke pasur parasysh zhvillimet e mëhershme dhe jam me shpresë që do të gjendet një dalje për këtë gjendje”, u shpreh Haradinaj.

Marrëveshja e nënshkruar në fund të gushtit të vitit 2015 është ratifikuar nga parlamenti i Malit të Zi, por kjo nuk ka ndodhur në Kosovë. Kundërshtarët e marrëveshjes pohojnë se Kosova humb mbi 8 mijë hektarë tokë.

Top Channel