Shefi i diplomacisë gjermane, Sigmar Gabriel e nisi nga Beogradi vizitën e tij dyditore në Ballkan, e cila pasdite e çon në Kosovë.

Qëllimi i këtij rrugëtimi të ministrit të Jashtëm të Gjermanisë është “Strategjia e Brukselit” për anëtarësimin e Serbisë, Kosovës dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në bllokun europian, por edhe dialogu Prishtinë-Beograd.

Në kryeqytetin serb, Gabriel u takua me Aleksandar Vuçiçin, ndërsa më vonë mbërrin në Kosovë, ku do të takohet me autoritetet më të larta shtetërore.

Strategjia e re e BE-së parashikon që Serbia dhe Mali i Zi të anëtarësohen në BE deri në vitin 2025. Por Beogradi, përveç realizimit të kapitujve të tjerë, duhet të nënshkruajë një marrëveshje detyruese juridike për normalizimin e raporteve me Kosovën, pasi Brukseli është kundër anëtarësimit të vendeve me probleme territoriale.

Sa i përket Kosovës, kryediplomati gjerman ndalon atje në pragun e 10-vjetorit të Pavarësisë. Gjatë asaj që mund të jetë vizita e tij e fundit në rajon si ministër i Jashtëm i Gjermanisë, Gabriel do të qëndrojë edhe në Bullgari, e gjatë fundjavës do të jetë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku pritet të jenë të pranishëm edhe mjaft politikanë nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Top Channel