Dashuria nuk vjetërsohet; Të moshuarit tregojnë sekretin e jetëgjatësisë në çift

14/02/2018 20:00

Sot në Ditën e Shën Valentinit, Top Channel sjell historitë e dy çifteve që janë me njëri-tjetrin prej një gjysmë shekulli. Cili është sekreti i kësaj jetëgjatësie?

Ridvani është 83 vjeç. Në qytetin e tij të Korçës ai është një këngëtar i njohur i grupit “Lira”. Por në ditën e Shën Valentinit, më shumë se sa serenatat që i këndojnë dashurisë, Ridvani ka të veçantë martesën e tij gjysmë shekullore me Bardhën dhe ditëlindjen e tij.

Sekreti është se njëri nga çifti duhet të jetë tolerant. Domethënë nëse ajo është inatosur, unë duhet ta zbus, duhet të jem i qetë”, shprehet Ridvan Shëllira.

Disa qindra km larg Korçës, buzë detit të Durrësit, Muharremi 70-vjeçar jeton prej 40 vitesh një martesë plot dashuri me Fatmen.

“Është një dashuri, të cilën pavarësisht se jemi vjetëruar është shtuar edhe më tej”, thotë Fatma Asllani.

“TË më kishe pyetur: A je zënë ndonjëherë me gruan?! Duke pirë ujë e ngrënë bakllava, po dashuria ka bukurinë e vet. Kemi 40 vjet me 3 fëmijë, 2 të martuar e tjetri në prag të martesës. Jemi martuar me dashuri, madje unë e kam rrëmbyer”, rrëfen Muharrem Asllani

Përveç dashurisë, çiftet në Shën Valentin dhurojnë çokollata, parfume, lule. Në Tiranë puna në dyqanet e luleve ka nisur qe ne oret e para te mëngjesit.

Bëmë një tufë shumë të bukur me 500 trëndafila, e cila ishte e mrekullueshme. Numri më i bukur është 14, si përfaqësim i ditës së sotme, pastaj numrat mund të jenë të ndryshëm, sipas buxhetit të gjithsekujt.

Sipas të dhënave nga doganat vetëm gjatë vitit të kaluar Shqipëria ka importuar rreth 1 miliardë lekë lule. Por përpara se të merrte një karakter komercial mbarëbotëror, 14 shkurti festohej në shekullin XIV në Britaninë e Madhe nga të dashuruarit, kurse shenjti i Valentinit, prej nga ka marrë emrin dita e të dashuruarve, njihet si shenjtor i dashurisë, sepse martonte fshehurazi çiftet e krishtera në kohën kur krishtërimi nuk ishte përhapur ende.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA