Sot festohen 20 vite dashuri. Nga ajo dashuri e veçantë që të shndërrohet ndër më të mëdhatë e jetës. Ajo është shpirt dhe zë, është Top Albania Radio.

Historia e saj pasoi revolucionin mediatik-audiovizual, që do të përfaqësohej fillimisht nga kjo radio e më pas nga “Top Channel” e “DigitAlb”.

Njeriu i ëndrrave të mëdha Dritan Hoxha, e mori përsipër këtë iniciativë, dhe krijoi një staf me moshë mesatare vetëm 20 vjeç.

Ai rrinte gjithnjë pas kuintave, jo për të kontrolluar, por për t‘u ndjerë pjesë e ekipit.

14 shkurti ishte dita kur nisi transmetimi zyrtar dhe atë ditë, prezantuesja e parë Gerta Heta, e më pas Alketa Vejsiu, Arbana Osmani, Xhoi, Ledion Liço, Eno Popi etj. Fryma e parë artistike mbajti identitetin e Bojken Lakos.

DJ kanë qenë dhe mbeten pjesa tjetër e thelbit “ndryshe” dhe pakrahasueshmërisht të avancuar të “Top Albania Radios”. DJ Aldo ka qenë i pari i radios, i dalluar për mjeshtërinë e miksimit së bashku me DJ Bendin e DJ Oltin, e me pas Indrin e Dori DJ.

Zamira Koleci, një gazetare traditë në Radio Tirana, ishte ajo që do të themelonte redaksinë e lajmeve në radio, me një format tërësisht të ri; me lajmin e shpejtë flesh; të shkurtër e ritmik.

Ndër programet e para kanë qënë “Një këngë për ty” dhe “Disco Lancio” të kthyera në programe kult tashmë në transmetim edhe sot, së bashku me një sërë të tjerash si “Wake Up”, “Live from Tirana”, “Radio Cinema”, “Road trip”, “Rikoshet”, “Mix 2 mix”, “Pro Shqip”, “Summer Dance” e “Top Dance” etj.

“Top Albania Radio”, që në 99-ën ishte e para radio që nisi të blinte muzikë me të drejta transmetimi.

Ndersa sot prodhon dhe promovon muzikën shqiptare e cila zë një hapësirë të konsiderueshme, të play listës muzikore. 20 vjet transmetim, me qëllimin për të dhënë më të mirën. Ajo është dashuria e madhe që rritet e piqet me vitet, e që shqiptarët e duan në çdo moment të ekzistencës.

TAR ndryshon prefiksin, por ngelet 1-shi në radiot e cdo shqiptari anë kënd globit.

 

Top Channel