Bashkia e Tiranës është i pari institucion vendor që nënshkruan marrëveshje me Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve.
Marrëveshja e firmosur nga Veliaj dhe drejtori i AKUK, Arben Skënderi synon të sjellë përmirësim të mëtejshëm të performancës së UKT-së në furnizimin me ujë të pijshëm të qytetarëve, si dhe grumbullimin, largimin dhe trajtimin e ujërave të ndotura.
“Jam shumë i lumtur që jemi bashkia e parë që firmosim një marrëveshje të tillë. Pas suksesit të stabilizimit të situatës energjetike në vend dhe të llogarive financiare të sistemit, po bashkojmë forcat për një sfidë tjetër, atë për rehabilitimin e sistemit të ujësjellës-kanalizimeve. Sigurisht, qytetarët duan shërbim, po sigurisht që shërbimi vjen përmes një malli i cili kërkon duhet paguar”, tha Veliaj, duke shtuar se përmes marrëveshjes Bashkia e Tiranës përkushtohet të rrisë arkëtimet, modernizuar shërbimin, rritur investimet dhe të disiplinojë kundërvajtësit. “Kemi filluar me bizneset e mëdha, që ndonjëherë janë edhe abuzuesit më të mëdhenj, duke qenë se kanë edhe më shumë të ardhura, e më pas do të kalojmë në nivelin familjar”, tha ai.
“Falenderoj kryetarin e Bashkisë, si kryetari i parë që iu bashkua kësaj nisme kaq të rëndësishme për kontratën e performancës që duam ta kthejmë në një model sjellje për të gjithë kryetarët e bashkisë dhe operatorët e ujësjellës kanalizimeve në të gjithë Shqipërinë. Bashkitë janë pjesë integrale e kësaj reforme. Nuk mund të ketë sukses nëse vetë kryetarët e bashkive dhe ndërmarrjet mos ta marrin seriozisht këtë gjë. Uji, sa pasuri lokale, është edhe pasuri kombëtare. Është një pasuri e cila i kushton buxhetit të shtetit. Vetëm me nismën dhe vullnetin e plotë të të gjitha bashkive të Shqipërisë ky aksion do të ketë sukses. Dua ta falenderoj Erionin se edhe kësaj radhe ishte në avangardë”, theksoi ministri Damian Gjiknuri.
Ministri u shpreh se rritja e arkëtimeve, shëndoshja financiare e të gjithë sistemit të ujësjellës-kanalizimeve do të sjellë më shumë investime në këtë sektor të rëndësishëm. Ndërsa Veliaj theksoi se beteja për ujin e pijshëm nuk është vetëm një sfidë shqiptare, por botërore me të cilën përballen mjaft qytete.
Top Channel