Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë iu bashkuan ushtrive nga 135 vende të tjera në mbarë botën në Ditën Ndërkombëtare të Sporteve në Ushtri.

Ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të të gjitha gradave dhe nga të gjitha komandat, njësitë dhe repartet e Forcave tona të Armatosura morën pjesë në ”Ditën e vrapimit të CISM-it 2018” në kodrat e Liqenit Artificial në Tiranë, aktivitet i cili u zhvilluan në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe Federatën e Atletikës.

Gara u zhvillua në dy disiplina, 10 km për vrapuesit djem dhe 6 km për vrapueset vajza.

Në vendin e parë për djem u rendit kapiten Bledar Mesi, i ndjekur nga ushtar Alban Faslliu nga Forca e Sigurisë së Kosovës. Në vendin e tretë u rendit toger Renato Dordi nga Forca Ajrore.

Në kategorinë e vajzave, vendin e parë e zuri kadete Xhuliana Tahillari nga Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes. Në vendin e dytë u rendit ushtare e tretë Sadete Popshini, ndërsa në shkallën më të ulët të podiumit u pozicionua Artemisa Axhami nga Policia Ushtarake.

Trofetë simbolikë dhe certifikatat për tre vendet e para në të dyja disiplinat u dorëzuan nga ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku.

Pasi uroi fituesit dhe përgëzoi pjesëmarrësit në garë, ministrja Xhaçka theksoi rëndësinë e meritokracisë, për të cilën tha se do të jetë themelore për karrierën në Forcat e Armatosura.

Dita e vrapimit të CISM zhvillohet çdo vit nga vendet anëtarë të kësaj organizate duke u kthyer në ditën ku ushtarakë dhe civilë vrapojnë së bashku në gjithë botën nën flamurin e sportit dhe paqes. Ky aktivitet ka si qëllim promovimin e sportit masiv në Forcat e Armatosura.

CISM (International Military Sport Council) është Këshilli Ndërkombëtar i Sporteve në ushtri me 136 vende pjesëmarrëse, midis tyre edhe Shqipëria.

FOTO GALERI
4/12

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA