Prokurorët e Nju Jorkut kanë paditur kompaninë “Weinstein”, pasi pretendojnë se studioja nuk mbrojti stafin nga Harvey Weinstein.
Producenti kinematografik përballet me dhjetëra akuza për abuzim seksual, përfshirë përdhunimin, por ai mohon çdo akuzë për marrëdhënie seksuale të pa vullnetshme.
Padia e fundit, këtë herë jo vetëm ndaj tij si individ, por edhe ndaj kompanisë, pretendon se Weinstein abuzoi ndaj punonjëseve femra dhe kërcënoi verbalisht me vrasje anëtarët e stafit.
Një avokat i Weinstein tha se një hetim i drejtë do të tregojë se shumë prej pretendimeve nuk kanë asnjë bazë. Megjithatë, prokurori i përgjithshëm i Nju Jorkut, Eric Schneiderman tha se, veç padisë për kompaninë kishte paditur edhe by themeluesit e saj, Harvey Weinstein dhe vëllain e tij Robert.
Sipas autoriteteve, padia akuzon drejtuesit e lartë të kompanisë, përfshirë Robert Weinstein, se dështuan në parandalimin e keqtrajtimit të stafit, pavarësisht provave për këtë që iu ishin paraqitur.
Padia përmban pjesë enkas për Harvey Weinstein, i cili akuzohet se ka kërkuar favore seksuale për promovim në karrierë. Prokuroria kërkoi dëmshpërblim në një shumë të papublikuar për të mbuluar dëmet, plus gjoba, për viktimat e abuzimit të Weinstein.
Në kuadër të skandalit më të gjerë seksual të Weinstein, autoritetet britanike dhe amerikane po zhvillojnë hetime, por ende nuk kanë paditur formalisht producentin, pavarësisht se dhjetëra femra e kanë akuzuar për abuzim seksual.
Top Channel