Artistët kanë protestuar në ambientet e Teatrit Kombëtar. Aktori i mirënjohur Bujar Asqeriu thotë se ministria nuk e kupton se çfarë është artisti.

“Refleksionet nga qeveria e ministria duket që janë të vakëta mos me thënë të ftohta. Këtu nuk e kuptojnë në thelb çfarë është artisti. Ky është vlerësimi që i bën shteti shqiptar këtyre artistëve. Neve na fusin në vrimën e miut, atje në hidrocentral, se hajdutët nuk na lënë lekë”, thotë aktori Bujar Asqeriu.

“Asnjë nuk e di se sa është fondi publik i Teatrit. Transparenca është zero. Zgjedhja e lidershipit të institucioneve kombëtare kulturore duhet të ndryshojë. Rektori i Universitetit zgjidhet në mënyrë demokratike, politika nuk ka kontroll mbi universitetet po ka mbi teatrin, ky është absurd i madh. Do bëjmë kërkesë në Parlament për amendament ku të thuhet që lidershipi nuk emërohet por zgjidhet nga komunitetit”, tha Stefan Çapaliku.

Ndërsa regjisori Altin Basha thotë se artistët nuk lejohen të hyjnë në sallën e teatrit për të mbajtur deklaratë. “Artistët nuk lejohen të hyjnë në sallën e teatrit për të mbajtur një deklaratë. Shenjë skandaloze. Administrata e teatrit që përfaqëson ministrinë e Kulturës nuk ka dëshirë për dialog. Na janë bashkuar kolegë nga cirku, nga TKOB, nga QKK gjëja që nuk është më e vogël. Janë 4 mijë firmëtarë të peticionit online. Kumbaro ka kërkuar një përfaqësi për takim në ministrinë e Kulturës të mërkurën në orën 4. Ditën e mërkurë në orën 4 e presim këtu në teatër ministren”, thotë Basha.

Top Channel