Australi, sektori financiar nën hetim për “mashtrim”

12/02/2018 09:34

Një hetim masiv dhe shumë i rëndësishëm nisi në Australi për shkeljet e dyshuara të bankave dhe shërbimeve financiare.

Komisioni mbretëror, forma më e lartë e hetimit publik në këtë vend, do të hetojë shkeljet e dyshuara dhe të verifikuara në këtë sektor.

Bankat australiane, të cilat janë nga më fitimprurëset në botë, janë akuzuar për shfrytëzim të konsumatorëve dhe mashtrim, mes skandaleve të tjera.

Komisioni u takua në Melbourne, ku komisioneri Kennet Hayne tha se hetimi do të shqyrtojë sjelljen e kësaj industrie, që është një gërshetim keqinformimi dhe mashtrimi, e që ka rënë nën standardet dhe pritshmëritë e komunitetit.

Hayne, ish-gjyqtar i Gjykatës së Lartë të Australisë, tha se vendi ka një nga sektorët financiarë më të fortë në botë, por ka pasur shumë shembuj shkeljesh, që ngrenë dyshime për praktikat kulturore dhe të menaxhimit.

Veç sektorit bankar, hetimi do të shqyrtojë me imtësi edhe industritë e menaxhimit të kontributeve për pensionet, sigurimet dhe pasuritë. Sidoqoftë, vëmendja kryesore pritet të përqëndrohet te kredidhënësit e mëdhenj, që akuzohen se kanë vënë përfitimit para klientëve.

Seanca e parë publike dëgjimore do të zhvillohet muajin e ardhshëm dhe fokusi i saj do të jenë praktikat e gabuara të kredidhënies për blerje shtëpie, makine apo marrje kartash krediti. Një vit më parë, qeveria australiane tha se komisioni mbretëror është një veprim për të ardhur keq, por i nevojshëm për të rikthyer besimin publik te sistemi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA