Tottenham dominoi derbin e Londrës ndaj Arsenal në Wembley dhe kapërceu përkohësisht ne vendin e tretë në Premier League.

Skuadra londineze e drejtuar nga Pochettino tregoi më të mirën e saj në 90 minutat ndaj ‘topçinjve’, që dukej se kishin ardhur të velur nga fitorja e një javë më parë me Everton. Formacioni i ‘Spurs’ e shfaqi superioritetin e saj që në minutat e para, me disa raste të pastra shënimi nga lojtarët e saj, ndërsa Arsenal kishte limite në qarkullimin e topit.

Pjesa e parë u mbyll 0-0, ndërkohë që në minutën e parë të pjesës së dytë shifrat e rezultatit u ndryshuan, teksa Kane devijoi me kokë një krosim nga majta, duke mposhtur potierin Petr Cech. Protestat e vendasve për një ndërhyrje të parregullt nuk u morën në konsideratë.

Pas shënimit të golit Tottenham e rriti ndjeshëm presionin e saj, me disa raste të pastra me Dier, Kane dhe Son, por pa mundur të finalizojë. Wenger tentoi të ndryshojë diçka në lojën e skuadrës së tij me zëvëndësismet e kryera, por i vetmi rast ishte nga Wilshare në minutën e 80-të, por gjuajtja e tij përfundoi jashtë. Edhe rastet e Lacazzette në fundin e takimit nuk mundën të ndryshojnë shifrat, duke i dhënë 3 pikë të rëndësishme Tottenham.

Me këtë sukses skuadra londineze shkon në kuotën e 52 pikëve, duke u ngjtur përkohësisht në vendin e tretë në klasifikim.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel