Ku do të luhet finalja e Kupës së Mbretit

10/02/2018 13:34

Në Spanjë janë përcaktuar skuadrat që do të përballen në finalen e Kupës së Mbretit.

Si çdo vit, problemi kryesor në futbollin spanjoll është përcaktimi i stadiumit ku do të luhet kjo finale. Reali i Madridit edhe këtë radhë refuzoi të vërë në dispozicion stadiumin “Santiago Bernabeu”, kështu që për momentin opsionet për këtë finale janë “Wanda Metropolitano” dhe “Mestalla”. Sevilla nga ana e saj kishte ofruar impiantin “Sanchez Pizjuan”, por Presidenti i Federatës, Larrea e përjashtoi këtë opsion, duke lënë në garë pikërisht stadiumin e Atletico Madrid dhe Valencia.

Në një intervistë të dhënë për “Catalunya Radio”, Larrea deklaroi se zgjedhja e parë për finalen e Kupës së Mbretit mbetet gjithnjë “Wanda Metropolitano”, edhe pse në fundjavën përpara finales është parashikuar të luhet sfida mes Atletico dhe Betis në kampionat. Larrea theksoi se për këtë ndeshje ende nuk është marrë një vendim për ditën dhe orën e zhvillimit të saj.

Ditën e henë do të zhvillohet një mbledhje në Federatën Spanjolle të Futbollit, ku mendohet të përcaktohet gjithçka në lidhje me fushën ku do të luhet kjo finale. Tjetër aspekt që pritet të përcaktohet është edhe data e zhvillimit të kësaj finaleje. Barcelona ka refuzuar të luajë në 21 prill, pasi është 4 ditë para ndeshjes së parë gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve, sfidë në të cilën Barcelona, nëse kualifikohet, do ta përballojë e lodhur.

Top Channel