Pas një beteje të pashembullt publike, Martin Schulz u tërhoq të premten nga posti i parashikuar si ministër i Jashtëm i Gjermanisë.
“Ajo që trazon SPD-në dëmton në përgjithësi kredibilitetin e politikanëve”, mendon Katharina Kroll e “Deutche Welle”-s. Të mërkurën, kreu socialdemokrat u shfaq triumfues si njeriu që arriti maksimumin për partinë e vet në bisedimet për koalicionin qeverisës me Partinë Kristiandemokrate të Angela Merkelit, ku arriti të merrte ministritë kryesore: atë të Punës, Financave dhe Ministrinë e Jashtme.
Këtë të fundit, duhet ta drejtonte ai vetë, por, pas tërheqjes së beftë të një dite më parë, mbetet sot pa asnjë post. Po përse ndodhi një gjë e tillë? Schulz e stërmundoi partinë me shumë kthesa të forta dhe bëri mjaft gabime strategjike, thotë Kroll. Këtë arriti ta kuptonte dhe vetë dhe donte të shpëtonte me postin e ministrit të Jashtëm, duke hequr dorë vullnetarisht si kryetar partie.
Por, Schulzi i bëri hesapet pa Sigmar Gabrielin, ministri i Jashtëm në detyrë që është një figurë mjaft e preferuar në Gjermani e që frerët e diplomacisë vendase donte t’i mbante vetë. Lideri socialdemokrat mund të mos e marrë më veten nga kjo goditje. Me tërheqjen kokëulur që bëri, ai shpreson t’i japë fund sa më shpejt debateve në SPD dhe t’i vërë në lëvizje anëtarët e partisë, me qëllimin që të miratojnë marrëveshjen e koalicionit me unionin e Angela Merkelit.
Aprovimi i saj nga baza socialdemokrate është pengesa tjetër përpara, e zhvillimet e fundit krijojnë tension të ri tek Merkeli, sepse nëse nuk merret drita jeshile në 4 mars, në ditën vendimtare të votës së anëtarëve të SPD-së, pasojat do të jenë të mëdha edhe për vetë kancelaren.
Top Channel