Vrasja e Oliver Ivanoviç, mediet: Kosova i ka dorëzuar informacione Serbisë

09/02/2018 20:05

Autoritetet kosovare i kanë dorëzuar Serbisë informacionet lidhur me vrasjen e ish-politikanit serb, Oliver Ivanoviç.

Sipas medies serbe “Tanjug”, Ministria e Drejtësisë së Kosovës i dërgoi një raport Beogradit, përmes zyrës së “EULEX”-it në kryeqytetin serb.

Dokumentacioni, – thuhet në mediet vendase, – përmban një raport të autopsisë dhe gjithashtu informacione në lidhje me hetimet.

Ministria e Drejtësisë serbe njoftoi se materiali do t’i kalohet Prokurorisë për Krimin e Organizuar.

Ish-udhëheqësi i nismës qytetare serbe “Liri, Demokraci, Drejtësi” u vra me armë zjarri para zyrës së tij në veri të Mitrovicës, në muajin janar.

Udhëheqësit e Kosovës dhe ndërkombëtarët e dënuan ashpër ngjarjen, duke e cilësuar si një përpjekje për të minuar dialogun mes dy vendeve. Por krerët serbë e kushtëzuan vijimësinë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me angazhimin e autoriteteve të Kosovës për zbardhjen e vrasjes.

Top Channel