“Tirana Olimpik Park” shndërrohet në arenë boksi

09/02/2018 12:27

Një aktivitet i rrallë boksi u zhvillua për herë të parë në Shqipëri nën emrin “Gold Arena”, gjithçka e improvizuar në parkun olimpik të Tiranës ku në ring u ngjitën 18 sportistë për 9 sfida emocionuese, mes tyre edhe një duel femrash.

Ndeshja më kryesore e mbrëmjes ishte përballja e 9 herë kampionit të Shqipërisë, Ditmir Kucit dhe kampionit grek Kostandinos Kavaljas. Dy boksierët studiuan njëri-tjetrin gjatë raundeve të para ku nuk pati goditje të pastra.

Dueli u ndez në raundet 3 dhe 4 ku Kuçi ishte me këmbëngulës. Në raundin e pestë, 39-vjeçari shkodran e shtoi ritmin dhe për rrjedhojë e çoi në “knockdoën” kundërshtarin e tij. Në fundin e sfidës Kuci ishte sërish agresiv dhe boksierit grek nuk i mbeti gjë tjetër vetëm të mbrohej. Gjithçka u vendos për këtë ndeshje nga gjyqtaria e cila mori një vendim që ishte i dukshëm për të gjithë. Ditmir Kuçi, i cili rikthehej në ring pas dy vitesh u shpall kampion i Gold Arena-s.

Interesante ishin edhe ndeshjet e tjera që u zhvilluan në këtë arenë. Eduard Zeneli mposhti me pikë Leonard Arën ne kategorinë e fëmijëve, më pas ishte radha e shkodranit Syrinaj Marinaj të dilte mbi rivalin Artur Kuteli. Një e çarë në vetullën e moldavit e detyroi gjyqtarin të ndërpresë sfidën. Përballja mes Krenar Zenelit dhe Ardit Murjes ishte e luftuar deri në sekondat e fundit, fitorja i shkoi me një vendim unanim të gjyqtarisë shqipatormaqedonasit Zeneli.
Dueli i femrave si për të flakur tej paragjykimet ishte edhe më i ashpër. Elsidrita Selaj e rrëzoi dy herë boksieren nga Kosova Alie Hamiti. “Knock out” i dytë ishte më teknik dhe suksesi i merituar i takoi shkodranes.

Për herë të parë në një spektakël boksi nuk pati vetëm sfida, por edhe spektakël humor dhe këngë me disa nga emrat më të njohur të artit dhe muzikës në Shqipëri.

Top Channel