Tirana mposht 3-1 Tomorin, thellon kryesimin ndaj Bylisit

09/02/2018 16:47

Tirana ka dalë fituese nga përballja e kësaj të premteje me Tomorin e Beratit, sfidë e vlefshme për javën e 15 të Kategorisë së Parë të futbollit shqiptar.

Autor i dy golave për kryeqytetasit, në duelin e përfunduar me rezultatin 3-1, ishte sulmuesi Ngoo, i cili i shënoi të dy golat në pjesën e parë, të parin me 11-metërsh. Të tretin, po me penallti pas afro një orë loje, e shënoi Greca, kur miqtë nga Berati kishin mbetur në inferioritet numerik.

Tomori tregoi për një çast se nuk ishte inferiore përballë bardhebluve, kur barazoi përkohësisht në minutën e 30 me anë të Kopaçit, por “shkëndija” që lëshuan ata nuk rezultoi veçse një “flakë kashte”, pasi 6 minuta më vonë u gjendën sërish në disavantazh.

Ishte pikërisht autori i golit të vetëm për beratasit, ai që në përfundim të pjesës së parë mori edhe kartonin e dytë të verdhë, pas protestave ndaj gjyqtarit të takimit. Ndërkohë, pas minutës së 73-të, edhe Tirana mbeti me 10 vetë pas ndëshkimit me të kuq të Marveje.

Me këtë fitore, Tirana ngjitet në 40 pikë, 10 më shumë sesa Bylisi i vendit të dytë dhe plot 17 mbi Tomorin e vendit të tretë.

Top Channel