Sonte Skënderbeu-Flamurtari, a do e “vrasin” korçarët garën për titull?!

09/02/2018 11:08

Sot në mbrëmje, në orën 18:00, do të zhvillohet ndeshja më e rëndësishme e javës së 19-të të Superligës mes Skënderbeut kryesues dhe Flamurtarit të vendit të dytë.

Me një diferencë prej 8 pikësh të shkëputur në krye korçarët luajnë të qetë përball kujtdo, edhe pse skuadra vlonjate e udhëhequr nga Shpëtim Duro, po zhvillon një nga sezonet më të mira të viteve të fundit.

Barazim me Kukësin në javën e shkuar, i uli disi ritmin Flamurtarit, megjithatë pa presionin për të luftuar për titull në këtë vit, mund të bëhen të rrezikshëm edhe për ekipin e Ilir Dajës.

Gjithsesi një fitore në mbrëmjen e sotme e Skënderbeut, do të ishte një goditje e rëndë për garën për titull të këtij sezoni pasi do të çonte në 11 pikë diferencën me ndjekësit, ndërkohë që një fitore e Flamurtarit do bënte të mundur ngushtimin e diferencës në 5 pikë, kur do të mbeten edhe 17 javë të tjera deri në fund të sezonit.

Si gjithmonë emocionet e kësaj sfide të Superligës do të keni mundësinë t’i ndiqni drejtpërdrejtë në “Supersport” të platformës “Digitalb”.

Top Channel