Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro thotë se do të takojë artistët javën tjetër. Artistët janë të shqetësuar për ndryshimet ne projektligjin e ri për artin dhe kulturës dhe zhvendosjen e aktorëve të Teatrit Kombëtar tek skena e teatrit Turbina.

“Në radhë të parë unë duhet t’i takoj artistët dhe përpara se të kuptojmë se çfarë kërkojmë duhet të kuptojmë se çfarë propozojmë. Unë kam përshtypjen që nuk është kuptuar mirë ajo që është propozuar aty. Ne kemi marrë një nisëm ligjore që vjen si pasojë e kërkesave të artistëve, por edhe të institucioneve kulturore për të krijuar mekanizma që lehtësojnë organizimin e projekteve kulturore. E kemi hedhur për konsultim publik”, tha Mirela Kumbaro.

Lidhur me zhvendosjen e artistëve në skenën Turbina, ministrja Kumbaro tha se janë dakordësuar më herët me artistët.

“Në kushtet e vështira fizike në të cilat ndodhet salla aktuale e Teatrit Kombëtar, ne kemi thënë ‘Do të fillojmë punimet paralel tek Turbina, ku do të zhvendoset më parë trupa e Teatrit Kombëtar. Përveç sallës ekzistuese të Teatrit Kombëtar që do të vazhdojë të funksionojë deri ditën kur të paraqitet projekti përfundimtar i Teatrit Kombëtar që do të ndërtohet në të njëjtin vend”, u shpreh ministrja.

Artistët kanë frikë se Teatri Kombëtar do të prishet për t’i hapur rrugë ndërtimit të një kulle që do të mbante brenda edhe teatrin e ri kombëtar. Një projekt ky i hershëm i Edi Ramës kur ishte kryetar bashkie, dhe që asokohe u kundërshtua fort prej artistëve të teatrit kombëtar.

Top Channel