Haradinaj në SHBA, merr vizën, takon shefin e CIA dhe këshilltarin e Trump

09/02/2018 09:01

Pasi arriti ta marrë më në fund vizën amerikane, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ndodhet në Uashington, ku është takuar me drejtorin e CIA-s, Mike Pompeo, këshilltarin për siguri kombëtare të presidentit amerikan, Donald Trump, H.R. McMaster dhe ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit për Europë, Wess Mitchell.

Postimi i shefit të ekzekutivit kosovar në “Facebook” përcillte nota optimiste për mbështetjen që Kosova gëzon në SHBA.

“Kosova është e bekuar që nuk ballafaqohet e vetme me sfidat rajonale dhe globale”, shkroi Haradinaj.

McMaster e përcolli fort dhe qartë këtë përkrahje në fjalimin që mbajti në Uashington me rastin e pavarësisë së saj, ku tha se Trump është krenar për Kosovën, për arritjet e saj dhe për marrëdhëniet e Amerikës me të.

“Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë me ju, ndërsa ju forconi institucionet demokratike, mbroni të drejtat e njeriut, përballeni me korrupsionin e mbani angazhimet tuaja ndërkombëtare dhe rigjallëroni dialogun me Serbinë për të kapërcyer një nga kapitujt më të vështirë të historisë dhe të kujtesës”, u shpreh McMaster që ka qenë pjesëtar i forcave amerikane në Kosovë.

Në intervistën e dhënë “Zërit të Amerikës”, Haradinaj e konsideroi nder të madh praninë e McMasterit në pritjen e dhjetorit. Sa për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë, Kryeministri tregoi se njohja, ka interes kyç.

“Marrëveshja është njohje reciproke dhe vendosja e paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë; me këtë do të nënkuptohej që Kosova të falë, por jo të harrojë të kaluarën, pra të ndodhë një paqe ndërmjet dy popujve”, tha Haradinaj.

Top Channel