Vjedhje në internet, arrestohet grupi që grabiti 530 mln dollarë. Dy janë nga Kosova

08/02/2018 08:56

Departamenti i Drejtësisë në SHBA ka ngritur akuza ndaj 36 personave, për përfshirje në vjedhjen e identitetit të njerëzve në internet, në një skemë që shkaktoi humbjen e 530 milionë dollarëve të klientëve, bizneseve dhe institucioneve financiare.

Plot 13 individë janë arrestuar nga autoritetet ndërkombëtare, dy prej të cilëve janë shtetas kosovarë. Të tjerët janë amerikanë, australianë, britanikë, francezë, italianë e serbë.

“Aktakuzat dhe arrestimet e sotme përbëjnë një nga ndjekjet më të mëdha në fushën e kibernetikës, të ndërmarra në historinë e Departmentit të Drejtësisë”, deklaroi John Cronan, ndihmësprokurori i përgjithshëm.

Ky departament i publikoi emrat e të akuzuarve e bëri të ditur edhe ato të dy kosovarëve: Besart Hoxha dhe Liridon Musliu.

Zyrtarët e tij kanë bërë kërkesë për ekstradimin e 8 të pandehurve nga vendet jashtë SHBA-ve. Padia e ngritur ndaj tyre liston 117 vepra të kriminalitetit kibernetik nga anëtarët e këtij grupi “hacker”-ash, e përfshin keqpërdorime me karta të kreditit dhe shitje të informacioneve të vjedhura në internet.

Top Channel