Rebelohet Mahrez. Nuk paraqitet në stërvitjet e Leicester prej një jave

08/02/2018 14:01

Raportet mes Leicester dhe Riyad Mahrez janë ndërprerë përfundimisht. Sulmuesi algjerian ka humbur gjurmët dhe nuk paraqitet në stërvitjet e skuadrës prej 1 jave, e duket se është i vendosur të vazhdojë luftën me drejtuesit e klubit anglez.

Zanafilla e kësaj historie është pikërisht dështimi i tratativave për kalimin e tij te Manchester City, në sesionin e merkatos dimërore, me skuadrën e Guardiolës që ofroi 70 milionë euro për 26-vjeçarin.

Sipas medies britanike, Mahrez nuk është shfaqur në qendrën stërvitore të Leicesterit që nga 31 janari, dita kur klubi refuzoi ta shiste kartonin e tij te “Citizens”, pavarësisht kërkesës së bërë nga futbollisti për transferimin në “Etihad Stadium”.

Duke parë këtë situatë, Sindikata e Futbollistëve në Angli vendosi të ndërhyjë, gjë që u konfirmua nga presidenti i këtij organizmi, Gordon Taylor.

“Nëse do të duhet ndërhyrja jonë, jemi gati që ta bëjmë”, tha Taylor për BBC. “Jemi në kontakte me klubin dhe lojtarin. Leicester duhet të tregohet i duruar dhe mirëkuptues. Shpresojmë që edhe Mahrez të kuptojë gjendjen. Sa më parë të zgjidhet kjo çështje, aq më mirë”.

Si për ironi të fatit, të shtunën kalendari i Premier League ka parashikuar zhvillimin e sfidës mes Manchester Cityt dhe Leicesterit, sfidë të cilën Mahrez me shumë mundësi do ta ndjekë nga ekrani i televizorit.

Top Channel