Nga Beogradi, ku qëndroi për një vizitë të mërkurën, Komisioneri europian i Zgjerimit, Johannes Hahn e theksoi fort se Serbia duhet të arrijë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, nëse dëshiron anëtarësimin në BE.

Ndalesa e zyrtarit të lartë europian në kryeqytetin serb erdhi një ditë pas publikimit të strategjisë së zgjerimit, që parashikon vitin 2025 si afat për aderimin e Serbisë dhe Malit të Zi, nëse përmbushin reformat dhe kriteret e nevojshme.

Por komisioneri e bëri të qartë se blloku nuk do të importojë konflikte të pazgjidhura.

“Serbia duhet të përmbyllë dhe të zbatojë një marrëveshje detyruese ligjore me Kosovën, para se të anëtarësohet. Konfliktet e pazgjidhura të kufijve nuk janë të mira për askënd”, tha Hahn.

Vuçiç foli për “male të tëra me pengesa” në negociatat e vendit të tij me Brukselin, duke e vënë theksin te çështja e Kosovës, por edhe kufijve në Bosnje-Hercegovinë dhe Kroaci.

“A janë pengesa të lehta? Nuk janë. Si Himalajet janë, por nuk do të ishim të parët që janë ngjitur në malin Everest. Detyrat më të rënda që dalin nga strategjia e Komisionit Europian janë për Serbinë dhe ka ardhur koha që ‘të merren vendime, të paguhen çmime të caktuara nga e kaluara’ dhe të zgjidhim probleme që nuk janë zgjidhur dekada më parë”, tha Vuçiç.

Presidenti serb Vuçiç shtoi se për çështje të tilla serioze duhet dëgjuar edhe zëri i qytetarëve, vendimi i të cilëve do të respektohet.

Top Channel