Di Biagio rikthen “armatën e vjetër” tek Italia

08/02/2018 14:06

Italia ka mbetur jashtë Botërorit të Rusisë, gjë që ishte një katastrofë shumë e madhe për “të kaltrit”. Por befasitë nuk mbyllen këtu.

Trajneri i komanduar i 4 herë kampionëve të botës, Di Biagio ka vendosur që të kthejë në kombëtare legjendën Buffon dhe sulmuesin “problematik” por të talentuar, Mario Balotelli.

Të dy këta futbollistë pritet të jenë në dispozicion të Di Biagios në ndeshjet miqësore që Italia do të luajë me Argjentinën dhe Anglinë, më 23 dhe 27 mars.

Di Biagio kërkon që të rikthejë besueshmërinë dhe entuziazmin në skuadër, për të larguar disi depresionin që ka mbërthyer ambientin e “të kaltërve”, të kujdeset për anën sportive, por edhe atë menaxheriale.

Kështu që, ai mendoi për një ndërthurje mes traditës dhe risive në ekip, për sfidat që do të luajë në Manchester dhe Londër.

Hapi i parë ishtë thirrja në skuadër e Buffonit dhe Chiellinit, të cilët deklaruan tërheqjen nga kombëtarja italiane pas ndeshjes me Suedinë, ashtu sikurse bënë edhe Barzagli e De Rossi.

Buffon shihet si personi i duhur që të udhëheqë një skuadër në tranzicion, e portieri 40-vjeçar vështirë se do t’i thotë jo kësaj kërkese. E njëjta histori edhe për Chiellinin, të cilit i jepet mundësia për të kaluar kuotën e 100 ndeshjeve të luajtura me fanellën e Italisë.

Për sa i përket të ardhmes, Di Biagio mendon ta ndërtojë atë rreth Donnarummës, Ruganit, Romagnolit, Chiesës e Bernardeschit, ndërkohë që këtu futet edhe Mario Balotelli, që këtë sezon ka shënuar 19 gola në 25 ndeshjen me francezët e Nicës.

Historia e Balotellit me përfaqësuesen italiane u ndërpre më 24 maj të vitit 2014, pas eliminimit nga Uruguaji në Botërorin e Brazilit. Deri atë ditë, Balotelli kishte luajtur 33 ndeshje me Italinë dhe numëronte 13 gola të shënuar.

Top Channel