Panathinaikos po mendon të lërë “EuroLeague”, ngjarja më e rëndësishme europiane për klube në basketboll për meshkuj.
Pronari i skuadrës greke, Dimitris Giannakopoulos është pezulluar nga drejtuesit e këtij kompeticioni për 12 muaj nga të gjitha aktivitetet, pasi kërcënoi tifozët e Fenerbahçes nëpërmjet rrjeteve sociale.
Është pikërisht ky vendim, që shtyu pronarin e Panathinaikosit të bëjë të ditur se do të organizojë një referendum për një tërheqje të mundshme nga “EuroLeague”. Do të jenë tifozët, ata që me votën e tyre do të vendosin për qëndrimin ose jo të Panathinaikosit në “EuroLeague”.
“Po të ishte për mua do ta kisha tërhequr menjëherë Panathinaikosin nga kjo parodi”, u shpreh Giannakopoulos. “Por do te jenë tifozët, ata që do të marrin vendimin nëpërmjet këtij referendumi. Nëse ata vendosin që të qëndrojmë, do ta bëjmë këtë. Në rast të kundërt do të vijojmë betejën tonë për pastërtinë e basketbollit europian, në një tjetër kompeticion”.
Kjo nuk është hera e parë, që Giannakopoulos përplaset me drejtuesit e “EuroLeague”. Përpara 5 vitesh, pronari i skuadrës greke, pas humbjes së ndeshjes së parë të “play off”-it me Barcelonën, zbriti në dhomat e zhveshjes për t’u kërkuar llogari arbitrave të sfidës.
“Kjo ishte e tepërt – mësohet t’u ketë thënë ai në atë kohë arbitrave. – Kërkoj që EuroLeague të shohë llogaritë bankare të komisionerëve arbitralë dhe në mënyrë të veçantë të zotit Rigas”.
Top Channel