Në Javën e Martesës, emisioni “Pasdite në Top Channel” solli për publikun histori martesash të suksesshme dhe këshilla për ta bërë sa më të gjatë lidhjen e një çifti.
Ned dhe Jorid Spiecker janë një çift amerikan që duket se e kanë gjetur çelësin e martesës së lumtur.
“Nëse nuk e vlerësojmë dhe nuk e respektojmë njëri-tjetrin, marrëdhënia bëhet toksike. Me njerëzit në rrugë sillemi më mirë sesa me ata që kemi në shtëpi. Këtë duhet ta ndryshojmë”, thotë Jorid.
“Ne e kemi përjashtuar divorcin si mundësi dhe kemi vendosur të gjejmë zgjidhje për çdo gjë në lidhjen tonë. Vetëvrasjen e mendojmë, divorcin jo”, tha duke qeshur Nedi.
Ndërkohë, sociologu Gëzim Tushi tha se “martesa nuk është komponent biologjik, por një institucion që ka dy komponentë socialë: biologjik ose seksual dhe social”.
“Ky i fundit e bën martesën jetëgjatë dhe shmang tronditjet që merr martesa nga jashtë dhe brenda”, deklaroi Tushi.
Sociologu shtoi se “divorci duhet të bëhet për arsye të qenësishme”: “Te ne bëhen divorce për arsye banale. Martohemi 20 vjeç ose martohemi për arsye ekonomike dhe prandaj vjen divorci. Martesa nuk është kontratë ekonomike, por emocionale. Te të rinjtë ka mani për një kontroll ndaj njëri-tjetrit, duke nisur nga kontrolli i celularit. Kemi 24% divorce dhe nuk them se nuk duhet divorci, por më duket se në shoqërinë tonë e kemi bërë si çështje mode. Faktor për divorcet është liberalizimi i seksualitetit, sipas meje. Së dyti, liberalizimi i jetës ka bërë që njerëzit t’i shmangen martesës”.
Në fund, sociologu Gëzim Tushi zbuloi arsyen se pse njeriu duhet të martohet: “Martesa nuk zgjidh seksualitetin dhe vetminë, por është institucioni më i ngrohtë në tokë. Në kohën e rivalitetit që shohim kudo, familja të jep ngrohtësi”.
Top Channel