Kosova, e fundit për sa i takon procesit integrues të Ballkanit, në strategjinë e zgjerimit trajtohet sipas shefes së zyrës së BE-së në Prishtinë, ashtu si vendet e tjera të rajonit, me perspektivë të qartë dhe kushte të njëjta të anëtarësimit.

Por, detyrimet në rrugëtimin drejt bllokut janë të shumta, aq më tepër kur dokumenti e theksonte në mënyrë të veçantë nevojën e fqinjësisë së mirë.

“Kosova dhe Serbia duhet t’i intensifikojnë përpjekjet e tyre për të normalizuar raportet mes tyre. Për të dyja nuk ka dhe nuk do të ketë ndonjë rrugë alternative ndaj të ardhmes europiane. Për Kosovën, çështjet më të ngutshme janë reformat në fushën e sundimit të ligjit, të drejtat themelore, qeverisja e mirë dhe të punojë në pajtimin dhe marrëdhëniet e mira me fqinjët”, tha Natalya Apostolova, shefe e zyrës së BE-së në Kosovë.

Një prej kritereve kryesore, që Kosova duhet të përmbushë për t’u përfshirë në regjimin e udhëtimeve pa viza, mbetet marrëveshja e shenjimit të kufirit me Malin e Zi, të cilën ajo ende nuk e ka ratifikuar.

“Me ambasadorët dhe partnerët e tjerë ndërkombëtare jemi duke e përsëritur deklaratën tonë për qeverinë dhe Parlamentin, sesa e rëndësishme është të zgjidhet çështja e Demarkacionit sa më parë që të jetë e mundur”, tha Apostolova.

Për presidentin Thaçi, ndërkohë, BE-ja nuk e trajtoi Kosovën si shtetet e tjera në strategjinë e prezantuar të martën, e një qasje e tillë – nga sa pohon në një postim në Facebook, – është pasojë e faktit që disa vende anëtare të bllokut nuk e kanë njohur Pavarësinë.

Top Channel