E përjashtoi Marseja për shqelmin “alla Cantona”, do të luajë te West Ham

07/02/2018 18:05

Në një lëvizje të papritur dhe jashtë limiteve të merkatos së zakonshme, West Ham kompletoi transferimin e futbollistit me eksperiencë, Patrice Evra, si përpjekje për t’i dhënë më tepër siguri prapavijës së ekipit që po përjeton një sezon negativ.

Londinezët firmosën në një transfertë falas me anësorin francez, tashmë 36-vjeçar, por edhe fitues i 5 titujve kampion në Angli.

Ish-mbrojtësit të Manchester United, Juventusit dhe Marsejës iu dha fanella me numrin 27 dhe ai u prezantua me një video të veçantë në kanalet zyrtare të rrjeteve sociale të klubit ishullor.

Anësori transalpin, që luajti nën drejtimin e David Moyes për një sezon te Manchester United, rikthehet kështu në diskutim pasi u shkarkua me bujë nga Marseja, për dhunën ndaj një tifozi që i solli dhe pezullim nga UEFA.

Ai është i aftë të luajë gjithsesi në Premier League dhe kaloi testet mjekësore njësoj sikur të ishte lojtar në aktivitet. Patrice Evra do të gjejë në mbrojtje një tjetër lojtar me eksperiencë, si argjentinasi Zabaleta.

Top Channel