Ronald Koeman është rikthyer këtë të martë në skuadrën e tij më të dashur, në Kombëtaren holandeze të futbollit.
Futbollisti, që spikati së bashku me brezin e artë të “tulipanëve”, Rijkaard, Gullit, Van Basten dhe Bergkamp, do të jetë tani trajneri i ri i përfaqësueses, një lëvizje e Federatës kjo që synon të rikthejë ekipin në elitën e futbollit botëror.
Koeman firmosi kontratën që do ta lidhë me Kombëtaren e “tulipanëve” deri në vitin 2022, në një pankinë që ka sakrifikuar shumë trajnerë të njohur, por ka ulur gjithashtu imazhin e Holandës pas dështimeve të bujshme.
Ai bëhet pasuesi i Dick Advocaat dhe rikthehet në diskutim vetëm 4 muaj pasi u shkarkua nga Evertoni.
I njohur me pseudonimin “Rambo” për shkak të fuqisë në goditjen e topit, Ronald Koeman mbetet ende mbrojtësi me përqindjen më të lartë të shënimit, një specialist në goditjet e dënimit dhe i pagabueshëm nga 11-metërshat.
Ish-futbollisti i Ajaksit dhe Barcelonës do të ketë objektiv kryesor kualifikimin e “portokallinjve” në Europianin e vitit 2020, pas katastrofave kombëtare si eliminimi nga Euro 2016 dhe nga Botërori i këtij viti në Rusi.
Top Channel