Partia Demokratike thotë se sistemi i ri i drejtësisë po kapet përmes promovimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të periudhës së komunizmit, që sipas saj, janë përfshirë në vendime të drejtpërdrejta politike në atë kohë.
Deputeti Enkelejd Alibeaj paraqiti në Këshillin e Legjislacionit disa dokumenta, që sipas tij, provojnë se dy prej kandidateve, një për KLGj dhe një për KLP janë përfshirë në vendime politike para ’90.
“Procesi për anëtarët e KLGJ dhe KLP prodhoi një rezultat dramatik ku sot anëtarë të KLGj dhe KLP janë jo vetëm kandidatë të përjashtuar nga ONM, jo vetëm kandidatë që nuk plotësojnë kriteret, jo vetëm kandidatë që nuk kanë paguar taksat, jo vetëm kandidatë të angazhuar në politikë, por edhe individë të kriminalizuar, për shkak se kanë dënuar politikisht qytetarët shqiptarë, thjesht se kanë menduar që liria dhe demokracia janë vlera që duhet të aplikohen edhe në shoqërinë tonë”, tha Alibeaj gjatë mbledhjes së Këshillit.
Alibeaj publikoi faksimile të disa vendimet, sipas tij, politike të dhëna nga kandidatja për Këshillin e Lartë Gjyqësor, Fatmira Luli dhe kandidatja për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Nurihan Seiti.
“Në këto vendime konstatohet se dënimet dhe akuzat ndaj qytetarëve shqiptarë, nga anëtarët e sotëm të KLGJ dhe KLP, janë dhënë për motive qartazi politike dhe me akuzë për tradhëti ndaj vijës së partisë dhe vlerave të partisë”, thotë Partia Demokratike.
Top Channel