NBA, Clippers mund Dallasin

06/02/2018 12:20

Los Angeles Clippers vuan jo pak në ndeshjen me Dallas Mavericks në mbrëmjen e radhës në NBA. Në Staples Center, skuadra kaliforniane fitoi ndaj asaj teksane 104-101, në një sfidë ku Dirk Nowitzki plotësoi kuotën e 50 mijë minutave të luajtura në karrierë në kampionatin amerikan të basketbollit.

Dy periodat e para shkuan në favor të Los Angeles Clippers, por Mavericks reagoi fuqishëm madje krijoi dhe një avantazh prej 10 pikësh. Clippers shkurtoi diferencën me Gallinarin me një gjuajtje të saktë për 3 pikë dhe pikët e Lou Williams. Në 24 sekondat e fundit, Gallinari nga vija e gjuajtjeve të lira i dha mundësinë skuadrës kaliforniane të mbyllë ndeshjen në favorin e saj.

Portland nuk rezistoi shumë në ndeshjen me Detroit të zhvilluar në Little Ceasars Arena duke e humbur atë 91-111. Për Detroit, shkëlqyen i sapoardhuri nga LA Clippers, Blake Griffin me 21 pikë dhe Andre Drummond me 17 pikë e 17 topa në tabelë duke bërë që Pistons të regjistrojë fitoren e 4 radhazi. për Portland nuk mjaftuan 20 pikët e Damian Lillard për të evituar disfatën e tretë radhazi

Derbi i Floridas mes Miamit dhe Orlandos në NBA pati shumë histori brenda saj por në fund ajo që fitoi ishte skuadra e Magic me rezultatin 111-109. Në American Arlines Arena, u duk se Miami e kishte në kontroll të plotë këtë takim dhe qëndroi në udhëheqje të rezultatit deri në pushimin e tij.

Por Mario Hezonja me 20 pikë dhe basketbollistët e tjerë të Orlandos i ndryshuan gjërat në parket duke marrë kryesimin e sfidës me një diferencë prej 14 pikësh. Minutat e fundit të ndeshjes ishin vërtet dramatike pasi Miami reagoi dhe arriti të barazojë shifrat por pa e çuar kryeveprën deri në fund pasi Orlando u shfaq në gjendje që t’i jepte edhe goditjen e fundit dhe të fitojë këtë ndeshje derbi.

Top Channel