Mjegulla pengon kryeministrin Markoviç, anulon vizitën në Prishtinë

06/02/2018 10:42

Vizita e kryeministrit të Malit të Zi, Dusko Markoviç, në Kosovë është anuluar për shkak të mjegullës së dendur që ka penguar uljen e avionit në pistë.

Fillimisht u tha se mbërritja e shefit të ekzekutivit malazez do të shtyhej me dy orë, por më pas u bë e qartë se kjo ndalesë nuk do të ndodhte. Zyra e tij për shtyp njoftoi më vonë se, vizita do të realizohet javën e ardhshme.

Markoviç do të pritej nga zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Ferhat Dinosha, dhe ambasadori i Kosovës në Malin e Zi, Skënder Durmishi.

Axhenda e tij përfshinte takime me udhëheqësit më të lartë të vendit, ndër të cilët kryeministrin Ramush Haradinaj e kryeparlamentarin Kadri Veseli.

Vizita e shumëlakuar e Markoviç u planifikua në kohën kur politikanët kosovarë janë duke shqyrtuar mundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje për shenjimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

Procedimi i çështjes së Demarkacionit në Kuvend dështoi një ditë më parë, për shkak të mungesës së konsensusit politik. Për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare të nënshkruar në vitin 2015 mes dy vendeve nevojiten 80 vota, nga 120 deputetë që ka Parlamenti kosovar.

Markoviç pati deklaruar në prag të ndalesës së tij se, Podgorica e konsideron të mbyllur temën e Demarkacionit, por në Kosovë, përçarjet mbi këtë çështje janë të mëdha, e ndasi ka edhe brenda vet koalicionit qeverisës.

Top Channel