Federata Shqiptare e Futbollit ka organizuar një darkë pritëse për të gjithë kandidatët dhe pjeswtarët e Asamblesë Zgjedhore, pak orë përpara fillimit të punimeve të saj.
Në Hotel Adriatik në Durrës, aty ku do të zhvillohet edhe asambleja, FSHF njofton se ka ftuar të gjithë anëtarët e saj, përfshirë këtu edhe kandidatët për postin e Presidentit dhe të Komitetit Ekzekutiv, ndërkohë që në darkë, sipas njoftimit të tyre, do të jenë edhe përfaqësuesit e FIFA-s dhe UEFA-s vëzhgues për procesin zgjedhor ditën e nesërme.
Menjëherë pas këtij njoftimi ka reaguar në faqen e tij në Facebook kandidati për President, Bashkim Fino, i cili në postimin e tij thekson se nuk ka marrë asnjë ftesë për këtë darkë, duke e konsideruar këtë lajm si një gënjeshtër dhe një manovër dëshpëruese të rivalit të tij.
Nuk ka zgjatur shumë dhe Federata Shqiptare e Futbollit ka publikuar nga ana e saj e-mail-in e ftesës që Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku i kishte dërguar kandidatit Fino për darkën e së martës.
Kjo ka qenë përballja e radhës mes dy kandidatëve përpara Asamblesë Zgjedhore të ditës së nesërme.
Top Channel