“Conde Nast Traveler” shkruante në vitin 2016 se, në mjaft vende të Europës, si Austria, Belgjika, Danimarka, Italia, Luksemburgu, Zvicra e disa të tjera, mund të pish pa frikë ujë nga rubineti. Por në shtete si Shqipëria, Bullgaria, Kosova, Serbia apo Mali i Zi, revista e njohur e udhëtimeve këshillonte të blihej ujë me shishe.
Gjendja e ujit të pijshëm është kthyer së fundi në shqetësim për Brukselin, duke shtyrë Komisionin Europian të propozojë një rishikim të legjislacionit që përmirëson cilësinë e ujit dhe qasjen ndaj tij.
“Uji i pijshëm i sigurtë është thelbësor për shëndetin publik dhe mirëqenien e njerëzve”, është argumenti i parashtruar prej tij në përpjekjet për të argumentuar përse u adoptua propozimi legjislativ që synon të garantojë këtë të drejtë.
Komisioni i përgjigjet kështu nismës së parë të suksesshme të qytetarëve europianë “Right2Water”, e cila mblodhi më shumë se 1.6 milionë firma në mbështetje të përmirësimit të qasjes së të gjithë europianëve ndaj një uji të pijshëm të sigurtë.
Rregullat e reja do t’iu kërkojnë shteteve anëtare të përmirësojnë qasjen e të gjithë shtetasve, veçanërisht grupeve të cënueshme dhe të margjinalizuara, të cilat kanë aktualisht një qasje më të vështirë ndaj ujit të pijshëm.
Në praktikë, kjo nënkupton krijimin e infrastrukturës për të pasur ujë të tillë në hapësirë publike, nisjen e fushatave informuese mbi cilësinë e tij dhe inkurajimin e administratave e godinave publike të sigurojnë qasje ndaj ujit të pijshëm.
Ulja e konsumit të ujit në shishe llogaritet t’i ndihmojë familjet në Europë të kursejnë më shumë se 600 milionë euro në vit, e mund të kontribuojë njëkohësisht edhe në reduktimin e mbetjeve plastike.
Top Channel