Chelsea, votëbesim “i përkohshëm” për Conten

06/02/2018 18:11

Antonio Conte do të mbetet në drejtimin e Chelseat, të paktën në një të ardhme të afërt. Këshilli administrativ i dha votëbesimin trajnerit italian, një ditë pas humbjes së radhës në kampionatin anglez, këtë radhë kundër Watfordit, një tjetër disfatë e sikletshme pas asaj me Bournemouth, që kishin shtyrë drejtuesit të ravijëzonin kandidatët zëvendësues.

“Blutë” e Londrës kanë hequr tashmë dorë nga mbrojtja e titullit kampion, e objektivi i vetëm real është pjesëmarrja në Champions. Në turneun elitar europian, Chelsea ka një impenjim të dyfishtë me Barcelonën, e në këtë periudhë delikate, që përfshin dhe dy transferta në Manchester me ekipet kryesuese të Premier League, nuk është koha më e mirë për të ndryshuar.

Votëbesimi ndaj Antonio Contes erdhi në të njëjtën ditë kur një nga kandidatët për ta zëvendësuar, Luis Enrique refuzoi të pranojë se do të marrë drejtimin e Chelseat në mes të sezonit. Futbollistët e skuadrës londineze kanë shprehur përkrahjen publike për trajnerin italian, duke marrë përgjegjësitë e humbjes.

Por krisjet mes palëve mbeten. Antonio Conte nuk është kënaqur asnjëherë nga merkatoja, madje ka thënë se pyetet i fundit për blerjen e lojtarëve. Kjo vazhdon t’i ushqejë kompanitë e basteve me informacion se Conte do të shkarkohet para qershorit, e madje për këtë kanë nisur edhe kuotat e basteve.

Top Channel